Paris SG, golin e shënon Mbape, por heroi është Leo Mesi

Ishte një ndeshje që edhe mund të mos ishte fituar, dhe për kryesuesit në Ligën e Parë të Francës nuk do të kishte prishur asnjë punë. Gjithsesi, kur Paris SG gabon në kampionat, kritikat vërshojnë e bashkë me to edhe dyshimet nëse kjo skuadër do të mund të bëhet ndonjëherë si Reali, Bajerni apo Barcelona! PSG ia doli 1-0 ndaj Renës në “Parkun e Princave” pas një vuajtjeje të madhe, dhe pasi Kilian Mbape shënoi në 93’. Skuadra e trajnerit Poçetino shkon e sigurt drejt titullit me 59 pikë ndaj 43 të Marsejës, që ka një ndeshje më pak.

Nëse golshënues ishte Mbape, heroi ishte Lionel Mesi që shërbeu asistin për rrjetën. Mesi ka tani 7 gola e 7 asistë në 19 ndeshje për PSG-në, ndërsa arritjet në karrierë, për gola e për asiste janë të shkëlqyera. Argjentinasi ka 199 asiste në kampionate (kryesisht në La Liga), 275 asiste gjithsej me skuadrat e klubeve (Barcelona, PSG) dhe 322 asiste duke përfshirë edhe kombëtaren e Argjentinës. Në 14 ndeshjet e fundit për ekipin ka 13 kontribute për golat.

Sfidanti.al