Një ëndërr kaq e gjatë, dhe vështirë se do të mund të përfundojë. Rikthimi i Nejmarit tek Barcelona, dëshira e zjarrtë e vetë brazilianit, synimi i klubit katalanas, dhe kërkesa e prerë e Mesit, duket se nuk do të ndodhë aq këtë vit. Mediat spanjolle raportojnë se Paris SG ka marrë një vendim, që thuhet se është i paapelueshëm, pra që të kërkojë vetëm kompensim financiar për kartonin e numrit 10, dhe bëhet fjalë për plot 175 milionë euro.
Shumë më pak sesa 222 milionët që u paguan për Nejmarin në verën e vitit 2017, por gjithsesi shumë më tepër sesa janë mundësitë e katalanasve sot për sot. Sheiku Al Helaifi ka bërë me dije se nuk dëshiron lojtarë që të futen si shkëmbim në një marrëveshje të mundshëm. Nga ana tjetër, në Barcelonë mësohet se Antuan Grizman nuk ka dëshirë të shkojë në Paris, që të realizohet kalimi i Nejmarit në “Kamp Nou”.
Gjithsesi, pritet të ketë bisedime, pasi francezët nuk janë në pozita kaq shumë të forta. Kontrata e superyllit nga Brazili në “Park dë Prensis” përfundon në 2022, pra ky është viti i fundit kur PSG mund të përfitojë një shumë të madhe nga kartoni i tij. Sidoqoftë, duket se çdo gjë do të shtyhet për vitin e ardhshëm, nëse nuk ndodh ndonjë e papritur e madhe, dhe Barcelona do të përqëndrohet për të përfunduar transferimin e Lautaro Martinezit nga Interi, që gjithashtu do të ishte një përforcim shumë i mirë në sulm.
Sfidanti.al