Ore Juventus, edhe me 174 milionë euro rroga rrezikon Championsin?!

Këtë sezon në Serinë A vërtet e ka pisk. Skuadra e trajnerit Masimiliano Alegri është vërtet më e suksesshmja në Itali, dhe kliente thuajse e përhershme e Ligës së Kampionëve, por ky vit mund të jetë edhe ndryshe. Pasi rrezikoi edicionin e kaluar të mbetej jashtë Championsit, diçka që e arriti fare në fund, u mendua se me largimin e Pirlos dhe ardhjen e Alegrit në stol gjendja do të ndryshonte. Deri tani kjo nuk ka ndodhur. Juventusi është në vend 7-të në Serinë A me 28 pikë, po aq sa Roma, por prapa Fiorentinës (30), Napolit (36) dhe Atalantës (37). Një diferencë prej 8 pikësh nga vendi i katërt nuk mund të quhet ende penalizues, kur duhen edhe 21 ndeshje, pra 63 pikë, por gjithsesi shenjat nuk janë të mira. Të gjitha këto halle i ka një skuadër që paguhet me 174 milionë euro rrogë në sezon (në total), që do të thotë gjysmë milioni euro në ditë! As kaq, për momentin nuk janë të mjaftueshme ndonëse është një rekord në Serinë A, ndërsa trajneri Alegri thotë se Juvja nuk lufton dot për titull, por për kualifikim në Champions.

Sfidanti.al