Broja me 4 gola në Premier, lojtari i dytë më i mirë në fushë ndaj Palasit!

Vetëm shoku i tij i skuadrës, Livramento e kaloi me një gjysmë note. “Deili Meil” i vendosi vlerësimin 7 Armando Brojës për paraqitjen për Sauthemptonit në fushën e Kristël Palasit, ndeshje e Premier Ligës që përfundoi 2-2. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi golin e avantazhit të përkohshëm 2-1 të miqve, ndërsa ishte i dyti lojtar më i mirë në fushë. Interesant fakti se edhe Livramento është i huazuar nga Çelsi tek “Shenjtorët”, ashtu si Broja.

Sulmuesi kuqezi ka 4 gola në Premier Ligë, ndërsa vetëm në 6 ndeshje ka qenë si titullar. Kur e ka nisur nga minuta e parë, ai nuk ka mundur të shënojë vetëm ndaj Liverpulit dhe Arsenalit. Gjithsej, ai ka luajtur 621 minuta, pra e ka mesataren rreth 155 minuta për çdo gol, që nuk është aspak e keqe. “Sofa skor” (Sofa Score) ia saktësoi notën në 7.3, ndërsa 20-vjeçari ishte 70 minuta në fushën e lojës, pati një gol, dy gjuajtje në portë, 1 pasim të rëndësishëm, dhe 2 driblime të suksesshme nga 3 të provuara.

Sfidanti.al