Nuk paska qenë vetëm hedhje bluze, CR7 edhe grusht murit!

Nga Juventusi nuk do të vijë gjobë pasi klubi dëshiron të jetë i kujdesshëm. Gjithsesi, e ardhmja e Kristiano Ronaldos është në dyshim të plotë, pasi portugezi shpërtheu në zemërim pas fitores 3-1 ndaj Xhenoas në Torino. Gjendja shpirtërore e CR7 nuk kishte të bënte me rezultatin pasi ai ishte në rregull, por me faktin që nuk arriti të shënonte gol. Jo vetëm që flaku tej fanelën në mënyrë publike, nën sytë e të gjithëve, por pastaj ishte i tërbuar në dhomën e zhveshjes, duke goditur murin me grusht. Nuk dihet se çfarë ka thënë, apo nëse zemërimin e ka pasur me veten që nuk shënoi dot, apo me shokët që nuk e ndihmuan (siç mund të ketë qenë mendimi i tij). Siç shkruan “La Gazeta delo Sport”, Ronaldo u kap me shokët e ekipit, që nga Kieza te Kielini që nuk po ia pasonin topin. Në një moment, u mërzit me portierin Shezni që nxorri topin jashtë sepse një lojtar i Xhenoas ishte shtrirë përtokë. “Duhet të sulmojmë sepse ata janë me 10 vetë”, – ishin fjalët e portugezit që e kishte hallin vetëm të shënonte gol. Nuk ia doli, ndërsa tani është me nerva sepse ka dyshime për të ardhmen.

Sfidanti.al