Murinjo, ç’i pate ato fjalë për Solskjerin pasi akuzoi Sonin?!

Për herë të parë në një sezon kampionati ai ka pësuar 10 humbje dhe kjo duket se ka ndikuar pa masë. Zhoze Murinjo nuk është mësuar të mundet kaq shpesh, e ndoshta nervozizmi po bën të vetën aq sa lëshoi një sulm të papritur ndaj kolegut të tij, Ole Gunar Solskjerit. Trajneri i Totenhemit deklaroi se “Soni (lojtari koreanojugor) është me fat që babai i tij është njeri më i mirë sesa Ole”. Kjo, pasi Solskjeri e akuzoi Sonin se kishte bërë teatër në pjesën e parë për të nxjerrë nga loja Skot Mektominain. “Ne nuk duhet të mashtrohemi, – tha norvegjezi, – nëse djali im rri shtrirë në fushë për 3 minuta dhe duhen 10 vetë që ta ndihmojnë të ngrihen, unë e lë pa drekë. Ne nuk u mashtruam, por u mashtrua gjyqtari”. Edhe para ndeshjes, trajneri i Mançester Junajtidit akuzoi Erik Lamelën e Totenhemit në rolin e tij për përjashtimin e Entoni Marsialit në ndeshjen e parë mes dy ekipeve.

Sfidanti.al