Gola dhe sidomos asistë, shqiptarët mbeten protagonistë në Itali, Spanjë e Turqi!

Në Serinë A, heroi ishte Ardian Ismajli, që asistoi për fitoren. Në një ndeshje dramatike Specia përmbysi rezultatin në 3-2 ndaj Krotones në minutat e fundit, dhe goli i fitores erdhi falë kontributit të mbrojtësit të kombëtares. Pas një goditjeje nga këndi, Ismajli goditi me kokë, dhe topi i kthyer nga shtylla u dërgua në rrjetë nga Erlis për 3-2. Specia dhe Ismajli i kanë të gjitha kartat në rregull për të mbijetuar në Serinë A.

Berat Gjimshiti nuk ishte kaq me fat këtë herë, ndonëse Atalanta fitoi 3-2 në fushën e Fiorentinës. Mbrojtësi tjetër i kombëtares ishte fajtor në golin e barazimit të përkohshëm të vendasve shënuar nga Vllahoviç, ndonëse gabimi i tij gjatë aksionit nuk e ndëshkoi Atalantën, që është në vendin e katërt, pra në zonën Champions.

Në Spanjë, Keidi Bare shërbeu gjithashtu asist për gol. Mesfushori i kombëtares ndihmoi në fitoren e Espanjolit 2-1 ndaj Leganesit, duke dhënë topin për golin e dytë realizuar nga Melamed. Kjo fitore bëri që Espanjoli të ngjitet në vend të parë në Ligën e dytë në Spanjë, duke i pasur të gjitha shanset për t’u ngjitur në la Liga. Sergi Darder shënoi gati nga mesi i fushës për vendasit, për golin e parë që në sekondën e 25-të.

Endri Çekiçi mbetet tepër i rëndësishëm për Ankaraguçunë në Superligën e Turqisë, madje edhe kur nuk shënon. Ishte ai që detyroi mbrojtësin e Gençlerbirligit që të shkaktonte autogol për rezultatin 2-0, në një ndeshje që përfundoi 2-1. Çekiçi ishte protagonist thuajse në çdo aksion të vendasve, duke fituar goditjen e dënimit nga ku erdhi goli i parë, e duke u angazhuar në veprimet sulmuese. Ai ka shënuar 2 gola dhe është përzgjedhur pak ditë më parë në formacionin e javës të Superligës turke.

Po në Turqi, ishte një javë shumë e mirë për Eduart Rrocën dhe Kristal Abazajn në Ligën e Parë. Istanbulsporti i tyre fitoi 2-1 dhe ishte pikërisht Rroca që shënoi golin e fitores, falë pasimit të marrë nga Abazaj. Të dy shqiptarët morën vlerësime të larta, sidomos mesfushori nga Librazhdi, që sezonin e ardhshëm pritet të luajë në elitë, ndërsa ka shënuar 8 gola e ka shërbyer 12 asistë deri tani në ligë. Istanbulspori ka 51 pikë, duke qenë në zonën e plej ofit për Superligën.

Sfidanti.al