Nuk ndalet Junajtidi i Solskjerit, Pogba i fut frikën Anglisë dhe Europës

Për herë të parë është në zonën Champions. Mançester Junajtid vazhdon rezultatet e shkëlqyera nën trajnerin Ole Gunar Solskjer, dhe suksesi 3-0 në fushën e Fulhamit tregoi se marshimi tashmë është i pandalshëm. Pol Pogba rikujtoi komplimentin që iu bë dikur në Itali, si “një atlet i NBA-së me këmbë braziliane”, dhe ishte i tillë edhe në Londër.

Shënoi dy gola, dhe dirigjoi lojën me saktësi e vizion të madh, si dhe me një teknikë të lartë individuale. Kur mesfushori francez është në formë të tillë, ai mund të quhet i pandalshëm. Pogba ka shënuar 8 gola dhe ka shërbyer 5 pasime përcaktuese, që kur Solskjer u emërua trajner në vend të Zhoze Murinjos.

Norvegjezi po fiton gjithnjë e më shumë besimin e drejtuesve të klubit dhe pritet shpejt që t’i jepet një kontratë e përhershme. Solskjer bëri ndryshime, por skuadra nuk i ndjeu, edhe pse në fushë nuk ishin Lindelof, Lingard dhe Rashford. Një tjetër gol i Junajtidit u realizua nga francezi tjetër, sulmuesi Antoni Marsial, dhe “djajtë e kuq” kanë tani 51 pikë duke qenë në vendin e katërt në renditje, në zonën Champions.

Kjo mund të ndryshojë nëse Çelsi fiton me Mançester Sitin, por gjithsesi, Junajtidi i ka të gjitha shanset që të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al