Ky njeri ka qenë nën një presion shumë të madh, aq sa mund të ishte çmendur. Përtej trofeve të panumërt të fituar në karrierë, plot 30, Pep Guardiola ka vuajtur gjithë këto kohë epitetin e humbësit në Champions, dhe etiketimin se “Ligën e Kampionëve tek Barcelona e ka fituar falë Mesit”. Mund të jetë e vërtetë, por trajneri katalanas nuk hoqi dorë nga synimi i tij i paepur për ta fituar trofeun “me veshë” pa ndihmën e “superpleshtit” argjentinas.
Më në fund është fare pranë finales së parë pas 10 vjetësh, asaj të fituar në “Uembli” në stolin e Barcelonës ndaj Mançester Junajtidit të Sër Aleks Fergusonit me shifrat 3-1 ku Mesi e shënoi një gol. Mançester Siti arriti një fitore të madhe, 2-1, në fushën e Paris SG dhe skuadra e Pepit është me një këmbë në ndeshjen fundore të Championsit që do të luhet në Stamboll. Pas një pjese të parë të dobët, me vetëm një gjuajtje të Fil Fodenit, “ansambli” i Guardiolës doli nga “bokset” me “marshin e pestë” dhe nuk e diskutoi fitoren. Kevin De Brujn dhe Rijad Mahrez shënuan golat e përmbysjes, pasi Markinjos kishte kaluar PSG-në përpara në minutën e 15-të. De Brujn barazoi në 64’, Mahrez goditi në të 71-ën, ndërsa ekipi francez e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi Idrisa Geje doli me të kuq në 77’.
Fitorja 2-1 është e njëjtë me suksesin e madh të sezonit të kaluar arritur në “Santiago Bernabeu” ndaj Realit, që tregoi se Siti ishte rritur aq shumë sa për të mundur 13 herë kampionët e kontinentit. Këtë sezon duket se përvoja është shtuar, po ashtu besimi tek forcat e veta, pak a shumë atë që kërkon Guardiola, apo që ka kërkuar Antonio Konte nga Interi në Serinë A. Natyrisht, është ende ndeshja e kthimit në “Etihad”, por me një Siti të tillë nuk bëhet shaka. Jo vetëm nga PSG, por edhe nga fituesja e gjysmëfinales tjetër, qoftë Çelsi, apo Reali.
Sfidanti.al