Nojer dhe Kejn, më mirë shiritin homoseksual në krah sesa kritikat perëndimore ndaj Katarit!

Dy kapitenët e dy ekipeve të mëdha kombëtare të futbollit europian kanë vendosur që të veprojnë ashtu siç dinë vetë, pra ashtu siç mendojnë. Për qytetërimin perëndimor, të drejtat e homoseksualëve janë të shenjta dhe ato duhen mbrojtur, je apo nuk je vetë homoseksual, ndaj edhe Manuel Nojeri me Harri Kejnin kanë vendosur të mbajnë në krah shiritin e kapitenit me ngjyrat e ylberit që simbolizon pikërisht mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për këtë veprim, këta yje të Gjermanisë dhe Anglisë meritojnë çdo lavdërim dhe respekt, diçka që nuk e meritojnë mjaft analistë e opinionistë, sidomos të mediave anglosaksone që e kanë refren të jetës, jo të tregojnë se kush janë, por që t’u tregojnë të tjerëve sesi duhet të jetojnë.

Këta analistë që vetëquhen “tolerantë” për të drejtat e njeriut nuk tregojnë asnjë lloj tolerance lidhur me traditat dhe kulturat e vendeve të tjera, dhe kjo tregon fanatizmin e tyre, që ua mbyll sytë dhe i bën “tellallë” të pakripur të një mënyre jetese që e ka vetëm 12 për qind e njerëzimit dhe nuk e ka shumica dërrmuese e tij. Toleranca do të thotë të respektosh edhe Kejnin dhe Nojerin kur thonë se “ne jemi të tillë”, por edhe njerëzit në Katar, në Indi e në Kinë që thonë “ne jemi të tillë”.

Sfidanti.al