Me gjithë huqet e moshës, mbetet një talent i madh, ndaj edhe e duan. Armando Broja vazhdon të jetë temë e rëndësishme në tregun anglez dhe atë europian të futbollit, ndërsa njëri nga klubet e rëndësishme që e do i ka propozuar Çelsit formulën e tij. Njukasëlli, i fuqizuar nga miliardat e familjes mbretërore të Arabisë Saudite, dëshiron ta marrë sulmuesin e kombëtares shqiptare në huazim, jo që t’ia blejë kartonin që tani. Kjo, jo sepse drejtuesit e bardhezinjve nuk e duan diçka të tillë, por sepse dëshirojnë të ruajnë financat për blerje të tjera, dhe ta realizojnë transferimin e 20-vjeçarit verën e ardhshme. Sipas mediave britanike, Çelsi është krejtësisht dakord me këtë propozim, pasi as londinezët nuk duan që ta humbasin Brojën, por ndoshta e shohin të vështirë që ai të jetë në ekip që këtë vit.
Gjithsesi, problem është vullneti i vetë sulmuesit kuqezi. Ai i ka bërë të qartë Çelsit se nuk dëshiron të jetë sërish i huazuar, për të tretin sezon radhazi, duke qenë gjithmonë në ajër lidhur me të ardhmen. Sidoqoftë, pritet të ketë bisedime dhe Njukasëlli do të ishte një mundësi e rëndësishme për Brojën sepse është ekip shumë ambicioz që synon të paktën Championsin sezonin që vjen. Në fund të fundit, ylli kuqezi mund të jetë i qetë sepse nuk do të mbetet pa gjë. Shërbimet e tij i duan edhe Uest Hemi, Evertoni e Sauthemptoni në Premier Ligë si dhe Napoli në Serinë A.
Sfidanti.al