Një shqiptar si 007: Barça, emri im është Bardhi, Enis Bardhi!

U desh të dilte ai përballë gjigandëve që ata të rrëzoheshin për herë të parë. Enis Bardhi luajti rolin e Lionel Mesit në një ndeshje ku argjentinasi i madh nuk ishte, dhe ku Barcelona nuk ia doli ta mbyllte sezonin e pathyer në La Liga. Levante triumfoi 5-4 ndaj katalanasve, dhe shqiptari i Maqedonisë shënoi dy gola, njërin më të bukur se tjetrin. i shpejtë, teknik dhe i paparashikueshëm, ai u duk sikur po interpretonte agjentin 007, Xhejms Bondin e famshëm, dhe sikur po u thoshte kundërshtarëve: Emri im është Bardhi, Enis Bardhi!

Barcelona kishte 37 ndeshje pa disfatë në kampionat, përfshi edhe duelet e fituara ndaj Realit (3-0, 2-2) apo Atletikos (1-1, 1-0), veçse nuk e arriti dot rekordin më historik, atë që ta mbyllte turneun pa asnjë humbje. Levante kryesoi vazhdimisht duke arritur në 2-0 dhe pastaj në 5-1, për të fituar përfundimisht 5-4. Emanuel Boateng shënoi 3 gola dhe Bardhi dy të tjerë, ndërsa Filip Kutinjo pati një “hatrik” (3 rrjeta) për Barçën, e Luis Suarez një gol tjetër.

Për fat të keq, në këtë festë nuk mori pjesë Armando Sadiku, pasi sulmuesi i Shqipërisë nuk ishte as në stol për ekipin vendas. Trajneri i katalanasve, Ernesto Valverde, duhet të jetë padyshim i shqetësuar që ekipi i tij tregoi varësinë absolute ndaj Lionel Mesit. Nëse superylli nuk është në fushë, fitoret janë në dyshim. Ndeshja ishte shumë emocionuese edhe për faktin se Andres Iniesta luajti për herë të fundit me fanelën e Barcelonës, dhe u zëvendësua në minutën e 60-të.

Sfidanti.al