Juventusi në titullin e 7-të radhazi, një histori e Italisë!

Dikur, në vitet 80-të, Avokatit Xhani Anjeli i treguan se mafiozi i penduar, Tomazo Busheta, ishte tifoz me Juven. “I thoni se kjo është diçka për të cilën nuk duhet të pendohet”, – ishin fjalët e “Don Xhanit”, një “padrino” apo një “kumbarë” më i madh në Itali sesa Busheta, apo sesa krerët më të dëgjuar të Mafias.

Kur Juventusi mbushi 30 tituj, drejtuesit kujtuan ëndrrën e madhe të Avokatit për ta parë me sytë e tij këtë mrekulli, dhe u shprehën se “ai po e shikon nga qielli”.

Avokati Xhani dhe shumë ish-juventinë të tjerë që nuk jetojnë më, duket se e vështruan nga qielli edhe festën e radhës së bardhezinjve, në një seri që duket sikur nuk do të përfundojë kurrë. Barazimi 0-0 në “Olimpiko” ndaj Romës siguroi titullin e 7-të radhazi (një vazhdim rekordi) dhe të 34-in në histori (për ata që duan “mosbindje civile”, titujt janë 36, bashkë me ata të dy që ua ka hequr Kalçopoli).

Natyrisht, për Juventusin kurrë nuk kanë munguar, as vlerësimet dhe lavdërimet, dhe as akuzat e ironitë. Kështu ndodhi edhe këtë herë, ndërsa lojtarët kërcenin e ngjireshin në fushë dhe në dhomën e zhveshjes në “Olimpiko”. Pati nga ata që vlerësuan forcën e karakterit të skuadrës së Alegrit, që desh eleminoi edhe Realin nga Championsi, por edhe nga ata që i përmendën ndihmat nga gjyqtarët dhe parullën e famshme “çfarë është e mirë për familjen Anjeli (nënkupto, për Juven), është e mirë edhe për Italinë”.

Nuk kemi pse habitemi, e tillë është Italia, “Çizmja” e futbollit dhe e makaronave. E tillë është Juvja, dhe të tilla diferencat mes “elitës” dhe “popullit”, aq sa Napolit “popullor” nuk i mjaftuan as 88 pikë për t’u shpallur kampion.

Sfidanti.al