Që ky sezon nuk do të ishte “për të qenë” u mor vesh që në ndeshjet e para, por nuk dashka të zerë mend. Seria A vazhdoi “prapësitë” edhe në javën e 5-të, me Romën dhe Milanin që bënë çmenduritë e radhës. Fillimisht, ishin verdhekuqtë kryeqytetas që u mposhtën 2-0 në fushën e Bolonjës, duke sjellë tërbimin e tifozëve. “Largohuni të gjithë, ju lojtarë m…”, – ishte thirrja e njëzëshme e ultrasve në stadium dhe në rrjetet sociale, pasi Matielo dhe Santander ndëshkuan ekipin e trajneri Di Françesko.
Po Milani? Skuadra 19 herë kampione e Italisë ishte “e çalë” ndaj Atalantës, duke mos mundur të shkëputej për asnjë moment. Gonzalo Higuain e kaloi në epërsi që në minutën e 2-të, por Alehandro Gomez barazoi në 54’. Pastaj, Xhakomo “Xhek” Bonaventura shënoi në minutën e 61-të, dhe u duk se skuadra e Gatuzos do të fitonte më në fund. Nuk ishte e thënë, pasi Emiliano Rigoni barazoi në sekondat e fundit dhe Atalanta largoi krizën, me portierin Etrit Berisha në stol.
Moment i keq për kuqezinjtë, që kanë vetëm 5 pikë dhe që kanë pësuar 7 gola në 5 javë. Kohë për reagim ka, të paktën për të synuar Championsin, veçse me këtë ritëm gjithçka do të vështirësohet.
Sfidanti.al