Nuk është ekip që shënon shumë, apo që ka vazhdimësi në lojë, por për këtë nuk mund të bësh me faj trajnerin. Armando Cungu po arrin, me forcën e tij të karakterit, që të ngjisë Kukësin drejt kreut të Superligës, siç bëri në fitoren e sotme minimale ndaj Kamzës. Për një ekip që i ndryshon trajnerët, siç bën njeriu me këmishat e trupit, dhe që luan si “jabanxhi” herë në Elbasan e herë në Shkodër, nuk është aspak keq që ndodhet vetëm 1 pikë prapa Skënderbeut të vendit të parë.
Në “Loro Boriçi”, ndeshja e javës së pestë u vendos në favor të kuksianëve falë një goli të kapitenit Shameti që në minutën e 30-të. E vërteta është që veriorët luajtën më mirë dhe patën edhe raste të tjera, por portieri i Kamzës, Avdyli, e shpëtoi disa herë portën e tij. Cungu po përpiqet t’i japë ekuilibër një ekipi që ka tepri lojtarësh në disa role, dhe mangësi në pozicionet e tjera. Deri tani, ia ka dalë mjaft mirë dhe Kukësi ka 10 pikë, po aq sa Partizani, duke qenë fare pranë kampiones nga Korça.
Sfidanti.al