Rinovimi i kontratës nga Pioli dhe fitorja në Madrid ndaj Atletikos i kishin fshehur problemet e ditëve të fundit. Gjithsesi, në ndeshjen ndaj Sasuolos në Serinë A, Milani zbriste në fushë me vetëm 1 pikë në dy ndeshje! Tashmë, bilanci është 1 pikë në tri ndeshje pra nga 9 të mundshme, dhe 8 gola të pësuar nga të cilët 4 me Fiorentinën dhe 3 me Sasuolon. Siç shkruajnë mediat italiane, kuqezinjtë kanë probleme në mbrojtje, sidomos me gabime individuale, dhe alternativat nuk po japin atë që pritet. Kjo nuk është mesatarja e një ekipi për titull.
E pranon edhe Pioli që pohon se “secili prej nesh po bën më pak se normalisht”. Trajneri thotë se lojtarët e tij nuk kanë shkëlqimin e mëparshëm, pra duket se ka lodhje fizike dhe psikologjike. “Bëmë shumë gabime sidomos në zonën kundërshtare, – vazhdoi ai, – nuk dua të justifikohem për ngarkesën e mesjavës sepse ekipi është ndërtuar për ta përballuar. Avantazhin duhej ta kishim administruar më mirë”. Mediat bëjnë pyetje, që ia vënë në gojë Piolit: Ç’kuptim ka që të fitosh në fushën e kampionëve të Spanjës kur humbet në shtëpi me një skuadër që ka 17 pikë më pak se ty në renditje?!
Sfidanti.al