Nuk ishte një nga kundërshtarët e lehtë, përkundrazi. Atletik i Bilbaos është në vendin e 6-të në La Ligë dhe në garë për zonën Champions, por vizita në “Spotifaj Kamp Nou” përfundoi me katastrofë. Baskët u mundën 0-4 nga e njëjta Barcelonë që “hëngri dru” në Madrid nga Reali dhe që është në prag të eliminimit në Ligën e Kampionëve. Një dominim katalanas me 68 për qind zotërim topi, 10-3 gjuajtjet dhe 7-1 ato në kuadrat! Një fitore e hidhur nga ato që të kujtojnë se “çfarë mund të kishte ndodhur nëse …”. Barça ka 28 pikë ndaj 31 të Realit dhe golaverazh më të mirë sesa kampionët.
Usman Dembele (12’), Sergi Roberto (18’), Robert Levandovski (22’) dhe Ferran Torres (73’) ishin autorët e golave në një fitore të rëndësishme që kthen besimin pas dështimit të rëndë në “El Klasiko”, edhe pse nuk ndihmon aspak në (pa) fatin e skuadrës në Champions. Jo më kot, trajneri Ksavi ka thënë se “ky sezon i Championsit është treguar shumë mizor me ne”. Me gjasë, koha do të shërojë plagët e ndoshta Barça do të luftojë këtë sezon për La Ligën për të luftuar edicionin tjetër për Europën.
Sfidanti.al