Nga Reja tek Tare, sa shumë “shqiptarë” për të bindur Veronën për Kumbullën!

Ka një diferencë të madhe mes kërkesës dhe ofertës, dhe është e natyrshme pasi jemi (ende) në periudhë krize. Lacio kërkon Marash Kumbullën dhe priti për vizitë në kryeqytet një delegacion të Veronës, të kryesuar nga presidenti Mauricio Seti. Në Vilën “San Sebastiano” të Romës u zhvillua takimi me presidentin Lotito e me drejtorin sportiv, Igli Tare, dhe ndonëse gjithçka ka shkuar miqësisht, nuk pritet të jetë e lehtë për t’u arritur një marrëveshje.

Pavarësisht se “rekomandimet” e Edi Rejës ishin shumë të mira, dhe pavarësisht nga njohja dhe ndikimi i Igli Tares, sërish vështirë që Verona të kënaqet me 18 milionë eurot e ofruara nga Lacio. Edhe pse klubi kryeqytetas nxjerr në vitrinë lojtarë si Lombardi, Kijin, Maistro, Durmishi dhe Valon Berisha. Madje, edhe Uollasin që ndodhet tek Braga si huazim. Verona e vlerëson Kumbullën 35 milionë euro, dhe nëse nuk lëviz nga “istikami”, ky do të ishte shpenzimi më i madh i “erës Lotito”. Interi dhe Juventusi janë, gjithashtu, gati që të përfitojnë për mbrojtësin 20-vjeçar të kombëtares shqiptare.

Sfidanti.al