E përditshmja e qytetit “Jehona e Liverpulit (Liverpool Echo) zbërthen pritjen në shifra: 30 vjet, 362 muaj, 11 016 ditë! Mund të shtonte edhe 264 364 orë! Skuadra dhe trajneri Klop ndoqën ndeshjen Çelsi-Man. Siti në një hotel në qendër, ndërsa legjenda Keni Dalglish në shtëpinë e tij. Sfida në Londër zgjati gati 100 minuta, dhe “BT Sport” mbajti kamerën “non stop” pranë të kuqve, me Klopin që nuk i mbajti lotët.
“U duk se pritja nuk do të mbaronte kurrë, – tha trajneri liverpulas, – më në fund e sollëm titullin në qytet. E pabesueshme. Pas fitores 4-0 ndaj Kristël Palasit kisha parandjenja të mira. Është vështirë të mbash veten pa festuar në momente të tilla, por shpresoj që sa më shpejt, ta bëjmë bashkë me tifozët”.
Dalglishi gjithashtu ka pranë kamerën e “BT Sportit”. Skocezit të madh, fituesit të titullit të fundit të Liverpulit para këtij të Klopit, i sjellin një gotë shampanjë, ndërsa tingëllimat e telefonit nuk kanë të sosur. “Dy vitet e fundit ishin të shkëlqyer, – tha Dalglishi, – Klopi ka punuar shkëlqyeshëm, po ashtu skuadra, dhe pronarët amerikanë kanë qenë shumë të mirë. Nuk ishte e lehtë ndaj Mançester Sitit. Nuk mund të parashikoj nëse do të kemi cikël të Liverpulit, pasi Mançester Junajtidi e Çelsi do të forcohen”. Dalglishi ndihet shumë mirë dhe thotë: “Unë këtë vit kaloja Kovid 19-ën, dhe përjetova titullin, çfarë mund të kërkoj më shumë nga jeta?”
Sfidanti.al