Turneu Masters mund të ndryshojë emrin për shkak të racizmit!

Nuk dihet nëse ato fjalë i ka thënë me të vërtetë, por ngulmimi është i fortë. Drejtuesi televiziv amerikan, Rob Parker, ka kërkuar që të hiqet emri i turneut të madh të golfit, “Masters”, sepse këtë emër e ka vendosur themeluesi i tij, Kliford Roberts (në foto), të cilin Parkeri e akuzon për racizëm. Në “Nju Jork Tajms” është shkruar se Robertsi është shprehur që “sa kohë të jem gjallë, këtu do të ketë vetëm lojtarë të bardhë dhe shërbëtorë (caddies) zezakë”. Këtë e ka deklaruar një ish-lojtar zezak i viteve 60-të, i quajtur Çarli Siford, duke thënë se e ka dëgjuar këtë fjalë me veshët e tij.

Nuk dihet nëse fjalët janë të vërteta, por e vërteta është se lojtarët zezakë nuk morën pjesë në Masters deri në 1975, kur këtë e bëri Li Elderi, ndërsa deri në 1990 nuk pati asnjë anëtar zezak të ftuar nga klubi. Themeluesi i Mastersit, Kliford Robertsi, jetoi në vitet 1894-1977, dhe ishte një biznesmen i fortë. Ai e themeloi turneun në 1934, dhe ishte president deri në 1976. Gazetari Parker ka kërkuar nga golfistët kryesorë, sidomos nga Tajgër Udsi, që është zezak, që të kërkojnë heqjen e emrit të turneut “Masters”. Parkeri u shpreh se golfi duhet të ndjekë shembullin e garave të makinave, “NASKAR” (NASCAR), që hoqi flamujt e Konfederatës (ish-shteteve të Jugut para Luftës Civile në SHBA).

Sfidanti.al