Kur skuadra mbylli ndeshjen e parë të sezonit 1990-1991, në 25 gusht 1990, me një fitore 3-1 në fushën e Shefild Junajtidit, askush nuk mund ta mendonte se do të priste 30 vjet për titullin e radhës. Liverpuli ishte kampion i Anglisë, kishte qenë në një nga dy vendet e para të ligës që nga 1973-shi, me përjashtim të një sezoni, ndërsa në fushë ishin lojtarë nga më të mirët, si Xhon Barns, Ian Rash, Brus Grobelar, Jan Molbi, Hauton, Uelan apo Stiv Nikël. Në stol, legjenda Keni Dalglish. Ai Liverpuli fitoi 8 ndeshje radhazi dhe u duk i destinuar për të mbrojtur titullin.
Kur, në mënyrë tronditëse, Keni Dalglish dha dorëheqjen në 22 shkurt 1991, pasi fitoi titullin e 16-të, 17-të e 18-të. Skocezi i madh u ezaurua nga ana nervore pas “Hejselit” dhe “Hillsborout”, ku vdiqën mbi 130 vetë. Kur ndodhi tragjedia e “Hillsborout”, me 96 viktima, Dalglish mori pjesë në shumë varrime të tifozëve, madje edhe 4 në një ditë. Pas barazimit 4-4 me Evertonin në Kupë, ai nuk pati fuqi të vazhdonte. Rënia e këtij kolosi simbolizoi rënien e Liverpulit, dhe fillimin e dominimit të Mançester Junajtidit të Sër Aleks Fergusonit, që fitoi 13 tituj në periudhën 1993-2013.
Klubi në “Anfild” shpenzoi gati 1.5 miliardë paundë stërlina në këta 30 vjet, aktivizoi 239 lojtarë, pati 9 trajnerë, pa mundur që t’ia dilte. Mes tyre lojtarë të shkëlqyer si Stiven Xherrard, Robi Faulër, Xhemi Karrager, Majkëll Ouen, Stiv Mekmanaman, Xhemi Redknap, Sami Hupia, Pepe Reina, Fernando Torres, Luis Suarez. Mbi 500 milionë paundë i shpenzoi vetëm Jurgen Klopi, ndonëse në 30 vjet, Liverpuli fitoi gati 940 milionë paundë stërlina duke transferuar lojtarë. Me Klopin u krijua skuadra e re e ëndrrave, me Alisonin, Aleksandër-Arnoldin, Van Dajkun, Robertsonin, Hendersonin, Fabinjon, Vajnaldumin, Firminon, Salahun e Manenë.
Sfidanti.al