Nuk luajti në epokën e “parasë së madhe”, por të asaj “të voglës”. Otmar Hicfeld mund të jetë sot një nga njerëzit më të famshëm dhe më të pasur të futbollit, por ishte krejt ndryshe , kur e la sportin në 1983 dhe nisi karrierën e trajnerit.
“Unë kisha frikë nëse do të isha i zoti të siguroja jetesën e duhur për familjen time”, – deklaron sot ish-tekniku i madh i Dortmundit dhe i Bajernit, ndërsa revista gjermane “Kiker” e uron për 70-vjetorin e ditëlindjes. “Herr Oto” mund 70 pikërisht sot, në 12 janar.
Si futbollist nuk pati shumë shanse të pasurohej, me Bazelin, Shtutgartin e Luganon në vitet 70-të, dhe me Lucernën në vitet 80-të. Edhe në stol, e nisi nga “poshtë-lart”, në Zvicër tek ekipi supermodest Cug 94 (Zug 94), pastaj tek Arau, dhe më në fund, te klube pak më të njohur si Grasshopers (1988-1991). Gjithsesi, duhej të kalonin dy vjet në Dortmund, që frika ekzistenciale t’i largohej.
“Në 10 vitet e para të karrierës ishte sidomos frika ekzistenciale, – thotë veterani, – kur shkova tek Dortmundi i vura vetes synimin fillestar që të mbijetoja 1 vit. Kur shkova tek Bajerni, më vonë, e shkurtova këtë periudhë në gjysmë sezoni. Sa më emër të madh të ketë trajneri dhe stafi, aq më shumë pritet prej tij, dhe aq më shpejt mund të vijë dështimi”.
Gjithsesi, dështimi nuk ishte pjesë e fjalorit të tij të punës. Me Borusian fitoi Championsin në 1997, dhe dy herë Bundesligën në 1995 e 1996. Tek Bajerni, fitoi Championsin në 2001 si dhe shumë trofe të tjerë.
Hicfeldi thotë disa fjalë për klubin bavarez, që mund t’i hyjnë shumë në punë, Niko Kovaçit sot. “Bajerni është një strukturë jashtëzakonisht eksplozive, – thotë ai, – si trajner, nuk duhet të ndihesh kurrë i sigurt, dhe duhet të përqëndrohesh gjithnjë në gjithçka, ndryshe në çdo kohë mund të ndodhë diçka. Rreziku është i përhershëm”.
Sfidanti.al