Ky janar e ka bërë Realin për spital, 5 lëndime në 10 ditë!

Deri në 31 dhjetor, Santiago Solari ishte i qetë të paktën në një drejtim, trajneri i Realit nuk kishte probleme të mëdha me dëmtimet, pasi vetëm Asensio ishte i detyruar të bënte pushim, pasi “ra” në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për klubet. Me të ardhur dita e fundit e vitit të vjetër, e me të vënë këmbë viti i ri, mallkimi nuk mund të ishte më i madh për madrilenët.

Plot 5 lojtarë i janë bashkuar Asensios, dhe bëhet fjalë për emra të rëndësishëm si Kurtua, Bejl, Kros, si dhe sulmuesi Mariano e i riu Jorente. Për ndeshjen e ligës kundër Betisit, Solari nuk do të ketë as Lukas Vaskezin, të pezulluar, ndërsa mbetet në dyshim lojtari më i mirë i momentit, Vinisius, që po kalon një grip.

Sa kohë, gjithsesi, trajneri do të jetë pa këta lojtarë? Belj mungon të paktën dy ndeshje, Asensio kthehet ndoshta në fillim të shkurtit, Toni Kros mund të mos jetë në 4 ndeshje pas dëmtimit të parë që kur erdhi tek Reali, Jorente dy ndeshje, Kurtua po dy ndeshje, ndërsa Mariano besohet se mungon vetëm ndaj Betisit.

Sfidanti.al