Në Teksas patën rezultatin 141-113, në një fitore të madhe ndaj ish-skuadrës së Lebron Xhejmsit, Klivlendit. Hjustoni nuk pati mëshirë dhe arriti fitoren e 24-ët këtë sezon të NBA-së, dhe si zakonisht më i miri në fushë ishte “Mjekra”.
Xhejms Harden shënoi 43 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 13 asistë, në një tjetër tripëll dabëll, duke qenë i treti në këtë renditje, ndër lojtarët aktivë. Kjo, pas Rasëll Uestbrukut dhe Lebron Xhejmsit. Harden vodhi edhe dy topa, si dhe bllokoi dy gjuajtje për të plotësuar “kryeveprën” e tij.
Hjustoni, gjithsesi, nuk mbeti i vetëm në shënimin e mbi 140 pikëve. E imitoi edhe Golden Stejti, pasi skuadra kampione mposhti Çikagon me shifrat 146-109. Në qytetin Oklend, në Gjirin e San Franciskos, pati 255 pikë ndaj 254 në Hjuston. Më e bukura është se Uorriorsët iu kthyen kohëve të vjetra, me 12 lojtarë që realizuan pikë. Mes tyre nuk pati ndonjë si Hardeni, që u dallua mbi të tjerët.
Klej Tompson realizoi 30 pikë, Stefën Kërri 28 pikë, 5 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa Kevin Durant shtoi 22 pikë, 4 topa në tabela e 5 asistë. Kuinsi Kuk u përgjigj me 15, Xhordan Bell me 13 dhe Markus Derrikson me 10 pikë. Golden Stejti vazhdon të mbajë vendin e dytë në Perëndim me 28 fitore e 14 humbje, ndërsa vetëm tri skuadra janë më mirë se kampionët, Denveri në Perëndim, si dhe Toronto e Miluoki në Lindje, secila me nga 12 humbje.
Sfidanti.al