Si debuton Ronaldo në Kupën e Italisë? Me … tren!

Nga Torino në Bolonjë mund të mos jetë shumë larg, rreth 330 km, por gjithsesi nuk është aq normale që një skuadër futbolli, supermilionere, të mos marrë aeroplanin për të shkuar. Drejtuesit e Juventusit menduan se do të ishte më mirë që yjet e ekipit të udhëtonin me tren, dhe kjo në bazë të një marrëveshjeje me kompaninë e hekurudhave “Trenitalia”.

Treni “Shigjeta e Kuqe” (Frecciarossa) udhëtoi vërtet si një shigjetë, me 300 km në orë, për të dërguar për rreth 70 minuta në Bolonjë, Kristiano Ronaldon dhe kolegët e tij të skuadrës kampione. “Shigjeta e Kuqe” ka marrëveshje me 11 skuadra të Serisë A, që duan të popullarizojnë këtë mënyrë transporti në Itali.

Në të vërtetë, nuk ka shëmbëlltyrë më të mirë të “Shigjetës së Kuqe” sesa Juventusi, që mund të quhet “Shigjeta Bardhezi”, dhe që udhëton nëpër Serinë A, vërtet si një tren ekspres. Juvja do të luajë në Bolonja ndeshjen e të tetave të finaleve të Kupës së Italisë, dhe Ronaldo pritet të bëjë debutimin në këtë garë.

Sfidanti.al