Shpenzimi për kartonin e holandezit mund të arrijë në 90 milionë euro për kartonin, ndërsa për rrogën do të duhen 17-19 milionë euro në sezon pasi edhe duhen paguar taksat. Kaq mund të kushtojë Matijs De Ligti për Bajernin e Mynihut, i cili do të shpenzojë bashkë me klauzolat deri në 41 milionë euro për Sadio Manenë, ndërsa lajmet janë që në 2023, bavarezët do të bëjnë një “dasmë” të madhe. Kjo ka lidhje me Harri Kejnin, kapitenin e Anglisë dhe sulmuesin kryesor të Totenhemit, për të cilin Bajerni po mendon për verën e ardhshme, gjithnjë sipas revistës “Sport Bild” dhe gazetarit italian, Alfredo Pedula. Gjithsesi, Kejni mund të kushtojë mbi 100 milionë euro, aq më tepër që Totenhemi nuk do ta lëshonte lehtë, e pra nuk besohet se tek Bajerni do të arrinin deri këtu. Siç është batuta e një filmi shqiptar, drejtuesit bavarezë duhet të thonë se “unë nuk jam bankë, more bir”.
Sfidanti.al