A mund të quhet kjo fytyra e vërtetë e kësaj skuadrë? Në fund të fundit, ka një fakt kokëfortë, që Anglia në dy ndeshjet e para në Europian ka goditur vetëm 3 herë në kuadratin e portës, dhe kjo është shumë pak, kur Italia ka shënuar 6 gola! Opinionistët nëpër studiot e televizioneve britanike nuk ia kursyen kritikat “tre luanëve”. Xhemi Karrager, ish-kapiten i Liverpulit, deklaroi se anglezët nuk i krijuan Harri Kejnit asnjë rast të pastër, ndonëse edhe kapiteni duket tepër i lodhur. Geri Nevil, ish-mbrojtës i Man. Junajtidit dhe Anglisë, theksoi se “këta djem nuk kanë përvojë, dhe kjo ndeshje ishte shumë e madhe për ta, tepër e komentuar në media, dhe Skocia ishte më e mirë në çdo repart me përjashtim të portierit”. Ish-sulmuesi i shquar i Arsenalit, Ian Rajt deklaroi se “Kejni nuk duket në formën më të mirë, Risi Xhejms që është harkues i mirë, nuk krosoi asnjë top, ndërsa si mund të lihet në stol Xhejdën Sanço me 16 gola e 20 asistë këtë sezon për Dortmundin?”
Sfidanti.al