Argjentina mund Uruguajin dhe sërish “vulën” e vendos Mesi

Ishte një sukses i madh në Kupën e Amerikës që tregon se “gauçosit” janë pretendentë për titull edhe pse luhet në Brazil. Në stadiumin e kryeqytetit Brazilia, një top i shërbyer nga Lionel Mesi ndihmoi argjentinasit e trajnerit Skaloni që të mundnin Uruguajin me golin e shënuar nga Guido Rodrigez. Mesi, që shënoi me goditje dënimi në barazimin ndaj Kilit (1-1) në ndeshjen e parë në grup, ishte sërish “motori” dhe “truri” i skuadrës. Numri 10 ka 43 asistë për kombëtaren në 146 ndeshje, ndërsa ka shënuar 73 gola.

Pavarësisht moshës 33-vjeçare (tashmë thuajse 34), sërish kapiteni mbetet në nivele të larta siç e tregoi gjatë këtij viti për Barcelonën. Argjentina ka 15 ndeshje që nuk humbet në Kupën e Amerikës, ndonëse nuk e ka fituar trofeun prej shumë vitesh. Mesi e vuri në vështirësi mbrojtjen uruguajane me driblimet e tij, por u mbulua fort me shumë lojtarë, ndërsa Uruguaj mund të kishte fituar një penallti me Kavanin në pjesën e parë. Argjentina ka 4 pikë në krye të grupit, po aq sa Kili. “Brazili është ekipi më i mirë, – tha Di Maria më pas, – por, ne po i marrim ndeshjet një nga një dhe do të përpiqemi ta fitojmë trofeun”.

Sfidanti.al