Mund të mos e duan aspak, por ai ka arritur një kulm. Nejmar me siguri u mërzit jashtë mase kur dhjetëra tifozë të Paris SG e vërshëllyen në “Parkun e Princave” edhe pse shënoi ndaj Bordosë, ndërsa lajmet janë që ai është lojtari me rrogën më të lartë në Francë, por edhe në rruzull. Ai fiton afërsisht 50 milionë euro në sezon, dhe për herë të parë është futbollisti më i paguar në të gjithë botën. Kjo, pasi Mesi u largua nga Barcelona. Superylli argjentinas, që ndodhet tek Paris SG bashkë me brazilianin, merr rreth 41 milionë euro në vit, një rrogë tepër e rëndësishme, edhe pse shumë më e ulët sesa ajo që i jepej në “Kamp Nou”. Kilian Mbape, që besohet se në verë do të kalojë tek Reali i Madridit, fiton shumë më pak sesa dy amerikanolatinët. Paga e tij sezonale, sipas L’Ekipit arrin në 26 milionë euro. Këto pagesa duken në kontrast të plotë me atë që ndodh tek PSG-ja, ndërsa skuadra besohet se është e tronditur dhe e përçarë.
Sipas medias franceze RMC, në ekip mungojnë udhëheqësit, ndërsa janë krijuar dy klane, ai francez dhe ai amerikanojugor, me çarjen që është shtuar pas eliminimit të rëndë nga Championsi me humbjen 1-3 me Realin në Madrid. Edhe më e keqe është bërë situata pas humbjes 0-3 në fushën e Monakos në kampionat, ndonëse kjo disfatë nuk ndikon aspak në renditje, dhe Paris SG e ka praktikisht të fituar titullin. Për Nejmarin, thuhet se është përçarësi kryesor dhe se ndodh që vjen në stërvitje gati i dehur dhe nuk punon sa duhet. Epërsia financiare e klubit parizien në Francë është e plotë, aq sa 14 vendet e para të lojtarëve më të paguar i zë PSG-ja. Pas treshes së madhe vijnë Markinjos, Verrati, Hakimi, Navas, Di Maria, Vajnaldum, Donaruma, Ikardi e Sergio Ramos. Edhe 16 nga 18 vendet e para i ka sërish klubi i presidentit Al Helaifi.
Sfidanti.al