Në Liverpul kërkohet hetimi i futbollit për përhapjen e koronavirusit!

Natyrisht, kjo nuk vjen nga klubi i famshëm i “Anfildit”, por nga autoritetet vendore. Është vetë kryetari i Bashkisë së Liverpulit, Stiven Rotheram, që ka kërkuar hetim për të vërtetuar nëse ndeshja e Championsit ndaj Atletikos ndikoi në përhapjen e koronavirusit në qendrën e madhe të banuar britanike dhe angleze. “Nëse njerëzit janë prekur nga koronavirusi si rezultat direkt i një aktiviteti sportiv, që ne besojmë se nuk duhej të zhvillohej, kjo është skandaloze, – tha ai, – ne përjetuam rritjen e kurbës së infeksionit që solli 1 200 të prekur në Liverpul. Kjo duhet të hetohet për të gjetur të vërtetën”.

Plot 54 000 tifozë ishin atë mbrëmje në “Anfild”, mes tyre 3 000 përkrahës të Atletikos, që u kualifikua pas fitores 3-2 pas kohës shtesë, ndërsa kishte fituar edhe ndeshjen e parë në Madrid. Deri atë ditë, qyteti kishte vetëm 6 raste koronavirusi, ndërsa tani ka 246 viktima. Kryebashkiaku Rotheram, që i përket Partisë Laburiste, u shpreh kundër zhvillimit të ndeshjes, diçka që e bëri edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sfidanti.al