La Liga bën plane për rifillim, por pa “hanxhinë”, pa lojtarët!

Rreziku është i madh që gjithçka mund të dështojë. Kampionati spanjoll është parashikuar për të filluar në 6 qershor, veçse kjo gjë mund të mos ndodhë për shkak të refuzimit të futbollistëve. Unioni i Lojtarëve në Spanjë ka kërkuar që klubet dhe autoritetet të garantojnë se nuk do të ketë rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndryshe kërcënojnë se nuk do të dalin në fushë.

Pritet që qendrimi i Unionit të lojtarëve të mbështetet nga kapitenët e skuadrave të La Ligës, si Lionel Mesi apo Sergio Ramos, ndaj edhe kërcënimi duket shumë real. La Liga spanjolle është e ndërprerë prej kohësh, ashtu si edhe shumica e kampionateve të tjerë në Europë e në Botë, ndërsa pritet të rifillojë me dyer të mbyllura, pra pa prani të tifozëve. Besohet se në muajin maj do të rifillojnë stërvitjet, në kushte të forta sigurie, dhe vetëm pas disa javësh mund të mendohet zhvillimi i ndeshjeve.

Lojtarët kërkojnë që drejtuesit e La Ligës të nënshkruajnë një deklaratë ku të sigurojnë se nuk do të ketë rrezik për shëndetin e tyre. Spanja është një nga vendet më të goditur në botë nga epidemia e koronavirusit, me mbi 210 000 rastë të sëmurësh dhe më shumë se 22 000 jetë të humbura.

Sfidanti.al