Adebajor sfidon vendin e tij të varfër: Kam miliona, por nuk dhuroj për virusin!

Janë të shumtë sportistët që kanë dhuruar për të luftuar epideminë. Mes tyre nuk bën pjesë një futbollist ende aktiv, dhe që quhet  Emanuel Adebajor. Sulmuesi 36-vjeçar, që sot luan për Olimpian në Paraguaj, ka refuzuar të ndihmojë vendin e tij, Togon, për t’ia dalë ndaj koronavirusit, duke krijuar polemika të forta.

“Ky nuk është problemi im, – është shprehur ai, – nuk e solla unë koronavirusin në Togo. Unë nuk bëj dhurime, unë bëj atë që më pëlqen, ushqehem ashtu siç më pëlqen. Kjo është shumë e thjeshtë. E di se do të ketë njerëz që do të më kritikojnë për këtë, por nuk ka problem”.

Adebajori ndodhet i izoluar në kompleksin e tij luksoz në kryeqytetin e Togos, dhe është duke pritur që të kalojë epidemia e koronavirusit. Ai ka fituar miliona euro apo dollarë gjatë një karriere të gjatë, në të cilën ka luajtur për skuadra të shquara si Reali i Madridit, Mançester Siti, Totenhemi apo Arsenali, ndërsa ka qenë kapiten i skuadrës së tij kombëtare. Ky qendrim është krejt i ndryshëm me atë që sulmuesi afrikan ka bërë 3 vjet më parë, duke ndihmuar 90 fëmijë në Togo për plot një vit. Nuk është e qartë se përse ka ndodhur ky ndryshim.

Sfidanti.al