Në Itali nis “gjyqi” për klubet që dëmtuan kombëtaren

Ashtu si Gjermania, edhe vendi në Apenine krenohet shumë për ekipin përfaqësues. Ndryshe nga Anglia apo ndonjë shtet tjetër, në Itali ngjyra e kaltër i përket çdo shtëpie, çdo familjeje, dhe “La Nazionale” është e të gjithëve. Për këtë arsye zhgënjimi për eliminimin nga Botërori është tepër i madh, thuajse një “zi kombëtare”. Menjëherë pas humbjes me Maqedoninë e Veriut, nisën “proceset” kundër klubeve që marrin shumë lojtarë të huaj, duke mos ndihmuar futbollistët vendas. “Për klubet tona kombëtarja është një barrë”, – thotë presidenti i Federatës, Gravina. “Europiani i fituar ishte një përjashtim, – thotë Arrigo Saki, – rënia e futbollit tonë nisi që në 2010 në klubet tona”. Edhe “La Gazeta delo Sport” titullon se “nuk ia vlen të dënosh Mançinin, duhet të krijohet nga e para sistemi i futbollit”. Kritikat janë të shumta se ekipet kryesore të Serisë A kanë shumicën e sulmuesve të huaj, si Dibala, Vlahoviç, Morata, Ibrahimoviç, Zhiru, Leao, Xheko, Lautaro Martinez, Aleksis Sançez, Korrea, Abraham, Mkitarian, Osimhen. Vetëm Lacio ka Imobilen dhe Napoli ka Insinjen.

Sfidanti.al