“Numri 1 i Europës”, ishin titujt e mediave britanike pas barazimit të Liverpulit me Mançester Sitin. Mohamed Salah, “Faraoni” modern egjiptian, ishte më i miri në fushë për të dyja skuadrat, me asistin për Sadio Manenë, por sidomos me golin e shënuar për 2-1. Vetëm ndonjë lojtar si Lionel Mesi, apo dikur Pele e Maradona mund të mburren se kanë bërë diçka të tillë. Aksioni ishte i denjë për klasin më të lartë të futbollit, vetëm më të mirët e historisë mund ta bëjnë që të driblojnë 4-5 lojtarë në pak metra vend dhe të shënojnë në diagonale. Edhe Jurgen Klopi tha se “golin e Salahut mund ta shënojnë vetëm më të mirët në botë”. Mediat po nxisin pronarët e Liverpulit që të pranojnë t’i japin Salahut kontratën më të lartë në historinë e klubit, pasi ai e meriton, ndërsa akordi i tanishëm përfundon në 2023.
Sfidanti.al