Edhe konkluzionet e udhëtimit të Kombëtares tonë deri në Kardif ishin aq të vakëta, saqë mund të të dalin nga mendja vetvetiu. Në 90 minutat ndaj Uellsit mund të evidentohet vetëm një goditje e portës nga Manaj, i cili po ta shihte pak më me dashamirësi Balajn, mund të bënte më mirë, si dhe një moment tjetër që kishte protagonist po futbollistin lushnjar. Pasi mori një të shtyrë nga Dejvis, Manaj u përplas me trajnerin dhe të dy u rrëzuan, duke kërkuar më pas me nervozizëm të njëjtin faull. Për Manajn kuptohet që nuk mund të flitet për ndonjë pasojë fizike në rastin e incidentit, ndërsa për Edin 75 vjeçar, e shtyra brutale e mbrojtësit vendas mund të ketë pasur edhe ndonjë efekt anësor. Pra vetëm kaq ishin emocionet e ndeshjes sonë në stadiumin mitik të Uellsit.
Ndërsa më pas, si gjithmonë vjen pothuajse e njëjta situatë, fillimisht shfaqen trajneri dhe një pjesë e futbolistëve, të cilët duket sikur rilexojnë copa deklaratash të vjetra, duke përplasur nëpër ekrane kënaqësinë e tyre, që në fund të fundit nuk janë mundur. Dhe kështu që edhe një herë tjetër duhet të pranojmë këtë lloj inferioriteti tradicional, që këta vazhdojnë të na i përkthejnë me pikë të fituar edhe barazimin e mundimshëm në ndonjë miqësore. Ndërsa pjesa tjetër e analizës është e dyzuar, e përbërë nga ata që e ndjekin me nënqeshje ironike këdo që kritikon dhe këta të fundit që duhet të përballojnë presionin e të trajtuarit si të çuditshëm.
Sidoqoftë, nëse themi me bindje, se tashmë ka ardhur koha, kur futbollistët tanë dhe drejtuesit e tyre teknikë nuk sugjestionohen më nga emrat e përvetshëm të kundërshtarëve, nuk mund të përmendim me përulje në të njëjtën ditë, që Uellsi është një skuadër e një niveli shumë të lartë krahasuar me ne dhe e mbushur plot me yje. Fakti është, se në ndeshjen e djeshme, tanët luajtën mirë në prapavijë, pasi edhe tre mbrojtësit e qendrës janë lojtarë me cilësi të Serisë A, ndërsa në përgatitjen e fazës sulmuese nuk kemi bërë asnjë milimetër përpara. Kjo është edhe arsyeja që prodhojmë vazhdimisht ndeshje të mërzitshme, pa ngjyra dhe të mbyllura në korniza skemash konservatore. Kështu që Kardifi ishte i njëjti përfundim… edhe një fatkeq i sëmurë me alzajmer, mund t’i kujtojë pa u sforcuar episodet e Manajt, gjatë 90 minutave kundër Uellsit.