Nuk pati fitues në stadiumin me emrin më të famshëm në botë. Napoli dhe Interi u ndalë në barazim 1-1 në impiantin me emrin e Diego Armando Maradonës, një rezultat që nuk lejoi parakalimin ndaj kampionëve, por që mund të ndihmojë Milanin të dalë në krye. Edhe pse zikaltërit e trajnerit Simone Inzagi këmbëngulën më shumë, dhe mbajtën më shumë topin, sërish ishin vendasit që u treguan më të rrezikshëm në kundërsulm. Lorenco Insinje kaloi Napolin në epërsi që në minutën e 7-të me penallti, në një nisje të shkëlqyer për ekipin e Luçiano Spaletit, që dominoi për gjysmë ore. Gjithsesi, shpejt pas nisjes së pjesës së dytë, Interi barazoi me sulmuesin e vet kryesor, Edin Xheko.
Me kalimin e minutave, lojtarët në fushë ndjenë lodhjen dhe nuk deshën të rrezikonin shumë. Kjo përballje mbyll një javë të vështirë për të besuarit e Inzagit që humbën derbin në Serinë A ndaj Milanit, reaguan me kualifikimin në kupë ndaj Romës, por patën mungesa në stadiumin “Maradona”. Barazimi ishte rezultati më i drejtë, dhe lejon që Interi të mbajë vendin e parë në renditje me 54 pikë ndaj 52 të napolitanëve. Gjithsesi, kampionët rrezikojnë ta humbasin kryesimin. Milani ka shansin t’i parakalojë që të dy rivalët nëse fiton këtë të diel ndaj Sampdorias në “San Siro”, diçka që duket se mund ta bëjë.
Sfidanti.al