Reali ngec ndaj Vijarrealit, Sevilja e ka një shans për titullin!

Ndoshta do të thoshim edhe Barcelona, por ky mund të quhet pretendim i tepërt. Gjithsesi, ndalimi i Realit të Madridit në fushën e Vijarrealit i jep shpresë pretendentëve për titull në La Ligën e Spanjës. Shifrat 0-0 bënë që madrilenët të jenë tani në 54 pikë ndaj 50 të Seviljes, me ndeshje të barabarta, ndërsa katalanasit kanë vërtet 38 pikë, por kanë dy ndeshje më shumë për të luajtur. Nëse i fitojnë, arrijnë në 44 pikë, pra 10 pikë diferencë, një distancë e madhe, por gjithsesi jo plotësisht e pamundur për t’u “zeruar”.

Reali pati epërsi me zotërim topi (54 për qind), po ashtu edhe për gjuajtjet me 12 drejt portës (5 Vijarreali) dhe 7 në kuadrat (2), por kjo nuk i bëri punë. Heroi për vendasit ishte portieri Ruji (Rulli) i cili bëri pritje shpëtuese ndaj Garet Bejlit, Vinisiusit e të tjerëve. Reali kërkoi penallti, dhe u pretendua për dy kartonë të kuq, nga një “për kokë”, por arbitri nuk dha gjë. Vijarreali goditi shtyllën në pjesën e parë dhe rrezikoi, por pas pushimit u tërhoq në mbrojtje.

Sfidanti.al