“Mbajeni mend këtë ditë, 12 shkurt 2022, ditën kur Bohumi bëri namin ndaj Bajernit në Bundesligë”. Kështu shkruajti faqja zyrtare e kampionatit gjerman në anglisht, pas përfundimit të ndeshjes së javës së 22-të në “Ruhr Shtadion”. “Bohumi mbi “luftanijen” e Bajernit”, – shkruan më tej Bundesliga. Dy golat nga bomber i përhershëm, Robert Levandovski, ishin shumë pak dhe bavarezët vuajtën edhe mungesat, edhe vetëkënaqësinë, edhe problemet e fundit, si dhe faktin se po afron ndeshja e Championsit pra vëmendja nuk është maksimale.
Levandovski shënoi për 0-1 në 9’ dhe u duk se gjithçka do të shkonte sipas parashikimit, por vendasit kishin mendim tjetër. Ata shënuan gola “prej ëndrre” (siç shkruajti revista “Kiker”) me anë të Antui-Axheit, Lokadisë (Locadia), Gamboas dhe Holtmanit, që të gjithë në 45 minutat e para. Levandovski shkurtoi shifrat në 75’, dhe pastaj goditi traun e portës me goditje dënimi të fituar vetë, por shokët nuk e ndoqën siç duhet polakun. Në fushë për Bohumin ishte shqiptari i Kosovës, Rexhbeçaj që mori karton të verdhë. Bajerni kryeson Bundesligën me 52 pikë ndaj 43 të Dortmundit që luan nesër.
Bajern: Ulraih, Pavar, Upamekano (Toliso 46’), Zyle, Hernandez, Kimih, Gnabri, Tomas Myler (Çupo Moting 64’), Sane, Koman (Zabicer 75’), Levandovski.
Sfidanti.al