Nuk ishte pasdita e Kristiano Ronaldos, por e tija. Armando Broja e tregoi veten se është i denjë për t’u matur edhe me yjet më të mëdhenj të botës, ndërsa shkëlqeu në tempullin e futbollit, “Old Traford”. Sauthemptoni barazoi 1-1 në fushën e Mançester Junajtidit, dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare i dha një ditë të tmerrshme mbrojtësve vendas. Sidomos, kapiteni i “djajve të kuq”, Harri Megajer, nuk do ta harrojë lehtë sfidën me 20-vjeçarin i cili thuajse u tall me të, duke e lënë pas, duke e dribluar e madje duke pretenduar me të drejtë për një penallti. Ishte fundi i ndeshjes, dhe sulmuesi kuqezi u rrëzua në zonë pikërisht nga Megajeri dhe u shkel prej tij. Arbitri nuk e konsideroi faull për 11-metërsh, ndërsa VAR-i gjykoi se shkelja ishte aksidentale, diçka që mbetet në ndërgjegjen e atyre që e përdorin teknologjinë.
Broja ishte i papërmbajtshëm sidomos pas pushimit, me vrapimet e tij karakteristike, ndërsa Sauthemptoni mendoi më shumë për sulmin. Në rrjetet sociale sërish pati vlerësime të larta për shqiptarin e huazuar nga Çelsi, dhe thirrje që Blutë e Londrës t’i japin shansin sezonin e ardhshëm. Broja dhe skuadra e tij mund të ndihen krenarë sepse në tri javët e fundit në Premier Ligë luajtën ndaj Mançester Sitit, Totenhemit dhe Mançester Junajtidit, duke marrë një fitore e dy barazime. “Shenjtorët” mbeten në mes të tabelës, ndërsa Junajtidi mbeti jashtë zonës Champions dhe rrezikon shumë të mos hyjë në katërshe.
Sfidanti.al