Kjo e shtunë sjell duelin e madh të Bundesligës mes dy skuadrave të para. Në stadiumin e tij, Lajpcigu pret Bajernin në orën 18:30, dhe diferenca është vetëm 2 pikë në favor të bavarezëve. Trajneri vendas, Julian Nagelsman që cilësohet si një nga më të mirët gjermanë bashkë me Flikun, Klopin e Tuhelin, i ka idetë të qarta për ndeshjen, por kuptohet nuk është i qartë për përfundimin.
“Nëse ne nuk fitojmë, atëherë lufta për titull merr fund, – thotë ai, cituar nga mediat gjermane, – edhe nëse fitojmë, nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe, pasi do të jemi shumë pranë dhe duhet të shpresojmë që Bajerni të bëjë gabime të tjera. Duhet ta nisim ndeshjen mirë, siç bëmë në fazën e parë”. Nagelsmani pranon se mungesa e Levandovskit prish shumë punë pasi polaku ka ndikim të jashtëzakonshëm, por shton se “Bajerni ka lojtarë të tjerë të mëdhenj edhe pa të”.
Të dyja skuadrat kanë mungesa. Lajpcigu është pa Kevin Kamplin dhe Halstenbergun, ndërsa Upamekano duket mirë. Bajerni nuk ka Levandovskin, Boatengun dhe Dejvisin, por Niklas Zyle duket se është në rregull.
Sfidanti.al