Murinjo rrëfehet në Portugali: Ja si punoj tek Man. Junajtid!

Është më e lehtë që të jetë përballë një mik kur ti rrëfen. Nunjo Luz është një gazetar televiziv portugez që e shfrytëzoi miqësinë me Zhoze Murinjon për ta kandisur trajnerin e famshëm që të tregonte të fshehtat e punës tek Mançester Junajtid. Ishte kanali SIC, fatlumi në këtë rast. Murinjo tregoi në fillim se përse Junajtid nisi të binte, duke mos qenë aq dominues sa më parë. “Klubi u mësua kaq shumë të fitonte, saqë nuk e kuptoi se klubet e tjerë po afroheshin, madje edhe kur Sër Aleks (Fergusoni) ishte ende aty, – tha “Mou”, – më pas u largua Sër Aleksi, u ndërruan 3 trajnerë në 3 vjet, klubet e tjerë u bënë të fortë, dhe pati një ftohje me tifozët”.

Më pas, Zhoze mbërriti, u prezantua dhe nisi punën. Si gjithmonë, me të ishte stafi portugez, ndihmësit Rui Faria, trajneri i portierëve Silvinjo Louro apo vëzhguesi i kundërshtarëve Rikardo Formosino. Ai ndryshoi gjërat në qendrën stërvitore në Karrington, duke krijuar dy fusha me përmasa të njëjta me atë të “Old Trafordit” dhe me të njëjtin lloj bari. Po ashtu, dy fusha me atë lloj bari që përdoret më shumë në Angli për shkak të motit.

Murinjo u shpreh se mbetet po aq emocional sa atëherë kur vrapoi si i çmendur në “Old Traford” pas kualifikimit të Portos, ndonëse emocionin e mban mjaft edhe brenda vetes. Nuk mund të rrinte pa ngacmuar Arsen Vengerin, kur u shpreh se “unë u dënova sepse godita një shishe plastike, ndërsa një trajner tjetër nuk u dënua edhe pse shtyu një gjyqtar”.

Portugezi thotë se është përpjekur të përshtatet me lojtarët e kohëve të sotme, duke kuptuar përdorimin e telefonit dhe rrjeteve sociale, por duke vënë si kusht vetëm që të komunikohet më parë me klubin për dëmtimet apo problemet e tjera.

Sa kohë do të qendrojë Murinjo tek Junajtid? “Minimalisht, 3 vjet, – thotë ai, – klubi e di se duhet stabilitet. Nëse do të duan që të vazhdoj të qendroj, do të rri, por nuk jam nga ata që rri 10-15 vjet edhe kur nuk fitoj (sërish e ka me Vengerin?)”.

Së fundi, diçka për Sër Aleks Fergusonin. Të dy e kanë admiruar njëri-tjetrin dhe portugezi vlerëson sot, sidomos sjelljen e skocezit veteran. “Ai gjithnjë ka udhëtuar me makinë, dhe jo me trenin e skuadrës kur shkojmë në Londër, – tregon Murinjo, – e kam ftuar të vijë, dhe kur ka ardhur, ka qenë shumë i tërhequr. Edhe në stadium, ai nuk zbret kurrë në dhomën e zhveshjes, ndonëse Bobi Çarltoni apo shefi ekzekutiv vijnë. Ai dëshiron të respektojë punën time dhe jo të ndikojë me praninë e tij, dhe për shkak të asaj që ai përfaqëson tek Mançester Junajtid”.

Sfidanti.al