Murinjo e Lampard, ju e dini se të voglat në Angli janë si Robin Hudi!

Që të dy, natyrisht, mezi e kanë pritur të merrnin drejtimin e skuadrave që kanë. Frenk Lampard është një “zog i ri” në trajning dhe stoli i Çelsit është diçka e madhe, ndërsa Zhoze Murinjo kishte pësuar disfata me Mançester Junajtidin, ndaj edhe Totenhemi ishte një rikthim i rëndësishëm. Gjithsesi, përtej kënaqësisë dhe krenarisë, që të dy trajnerët duhet të kuptojnë se në Premier Ligë nuk ka paqe. Nëse je në drejtim të skuadrave të klubeve që kanë miliarda, nuk do të thotë se mund të fitosh kaq lehtë.

Dita e parë e vitit i bëri që ta kuptonin edhe më mirë këtë. Çelsi i Lampardit u ndal në barazim 1-1 në fushën e Brajtonit, një skuadër shumë më modeste se Blutë e Londrës, ndërsa Totenhemi i Murinjos edhe më keq u mund në Sauthempton. Brajtoni barazoi 6 minuta para fundit golin e shënuar që në 10’ nga kapiteni i Çelsit, Sesar Azpilikueta. Në stadiumin e “Shën Mërisë” fati i ndeshjes u vengos nga Dani Ings që në 17’. Figurativisht mund të themi se skuadrat e vogla të Premier Ligës i ngjajnë Robin Hudit, që nuk ia kishte frikën “Sherifit të Notingemit”.

Sfidanti.al