Mukoko vendos rekordin e Championsit në festën e Dortmundit!

Ishin dy gëzime në një ditë, madje duke treguar se janë si Milani që nuk varet vetëm nga Zllatan Ibrahimoviçi. As Dortmundi nuk varet vetëm nga Erling Halandi, pasi në mungesë të tij fituan në Rusi ndaj Zenitit të Shën Peterburgut duke dalë në vendin e parë në grup në Champions. Bashkë me fitoren e ardhur me golat e polakut Lukash Pishçek dhe të belgut Aksel Vicel, erdhi edhe rekordi i vendosur nga Jusufa Mukoko. Sulmuesi adoleshent hyri në fushë në minutën e 58-të në vend të Paslakut, duke u bërë lojtari më i ri që luan në historinë e Championsit.

Futbollisti i lindur në Kamerun, dhe që luan për ekipet e moshave të Gjermanisë, u aktivizua në moshën 16 vjeç e 18 ditë, ndërsa rekordi i vjetër ishte vendosur në 1994 nga Selestin (Celestine) Babajaro me 16 vjeç e 85 ditë. Dortmundi, ndërkaq, zuri vendin e parë në grup me 13 pikë ndaj 10 pikëve të Lacios që mezi shpëtoi ndaj Bryzhit me barazim 2-2 në Romë.

Sfidanti.al