MSN-ja shkëlqen dhe Barça nuk i ndahet Realit në Spanjë!

Nuk u lodhën shumë, por shënuan nga një gol për kokë, duke mos lejuar që Reali t’u ikte nga sytë. Futbollistët e Barcelonës, të kthyer në formën e tyre të zakonshme, mposhtën 4-0 Eibarin, jashtë fushe, dhe mbajtën diferencën prej dy pikësh me kryesuesit e La Ligës. Pavarësisht se madrilenët kanë një ndeshje për të luajtur (në Valencia), katalanasit mund të quhen pretendentë për titull, ashtu si edhe Sevilja.

Ishte Denis Suarez që shënoi golin e parë në minutën e 32-të, jo shumë kohë pasi hyri në fushë në vend të Sergi Busketsit, që pësoi një dëmtim që u duk i rëndë. Në pjesën e dytë, Mesi siguroi fitoren pak minuta pasi skuadrat hynë në fushë pas pushimit, ndërsa treshja MSN plotësoi detyrën, me rrjetat e Suarezit dhe Nejmarit.

Pavarësisht nga mungesat, skuadra e Luis Enrikes shfrytëzoi momentin e mirë që po kalonte, dhe faktin që Eibari mbetet kundërshtar modest, pavarësisht kampionatit të respektueshëm që po zhvillon, duke qenë në vendin e 10-të, shumë më lart sesa i lejon buxheti. Barcelona ishte pa Pikenë dhe Iniestën, por treshja e sulmit ishte në fushë dhe kjo bëri diferencën. Katalanasit kanë 41 pikë, një më pak se Sevilja dhe dy më pak se Reali, ndërsa kanë shënuar më shumë se të gjithë, plot 51 gola.