Si mundet që një skuadër të ndryshojë kaq shumë thjesht sepse ndryshoi viti kalendarik. Ja pra që po i ndodh Romës, ekipit që kritikohej shpesh që nuk dinte të ishte cinik, veçse po tregohet më pragmatist se kushdo në 2017. Për kryeqytetasit erdhi fitorja e tretë radhazi 1-0 në kampionat, dhe me përjashtim të suksesit 4-0 në Kupë ndaj Sampdorias, verdhekuqtë nuk dinë të fitojnë ndryshe që kur hyri Viti i Ri.
Edin Xheko i dha suksesin tjetër atë ndaj Kaljarit në “Olimpiko”, pas atyre identikë ndaj Xhenoas dhe Udinezes. Nuk qe e thjeshtë të triumfohej në një ndeshje që nuk mundi të bëhej e bukur, veçse formacioni i trajnerit Spaleti mundi t’i afrohej Juventusit në -1 pikë (kampionët kanë një ndeshje më pak), të shkëputen sërish nga Napoli, dhe të lenë 7 pikë rivalët qytetës të Lacios.
Sulmuesi boshnjak, fajtor që humbi shumë raste si dhe penallti ndaj Udinezes, këtë herë u tregua vendimtar, edhe pse Roma nuk bindi ndaj ekipit që më shumë pëson gola në Serinë A (45). Për fat, fjalët e mira janë për mbrojtjen që ka pësuar vetëm 2 gola në 9 ndeshjet e fundit. Renditja: Juve 48 pikë (-1), Roma 47, Napoli 44, Lacio 40, Inter 39, Milan 37 (-1).