Është vetëm 16 vjeç, por fati e ka dashur herët. Labinot Kabashi, shqiptar nga Kosova, luan sot në Akademinë më të famshme të botës, atë të Barcelonës, “La Masia”. i lindur në Finlandë , ai u zbulua nga “gjahtarët” e talenteve të klubit katalanas, dhe u bë pjesë e shkollës së futbollit.
Talenti i tij tërhoqi vëmendjen, dhe ja gazeta britanike, “Dhë San”, nuk ngurron t’i vendosë një epitet të madh. “Gjashtëmbëdhjetë vjeçari i Barcelonës është etiketuar si Iniesta e Ri, – shkruan tabloidi, – nga një refugjat, ai është kthyer në një futbollist të skenës ndërkombëtare”. Kabashi është mesfushor, dhe luan pak a shumë në rolin e numrit 8 aktual të skuadrës katalanase.
Atyre që po e ndjekin po u nxjerr mallin e Andres Iniestës kur ishte adoleshent dhe shkëlqente në një akademi ku po rriteshin edhe Mesi, Ksavi, Pike apo Buskets. Me rolin mesfushor, Labinoti po ngjit shkallët dhe shpejt pritet të jetë një protagonist në skuadrën më të famshme të shekullit të 21-të.
Ai është thirrur në ekipin përfaqësues të Kosovës, pasi iu përgjigj pozitivisht ftesës së bërë nga Federata, dhe ishte pjesë e skuadrës në ndeshjen eleminatore të Botërorit ndaj Kroacisë në Shkodër. Kabashi nuk i harron rrënjët e veta dhe shpesh viziton Kosovën.