A mund ta hapë Konte, që tani, shampanjën e titullit?

Pa Diego Kostën, apo me Diego Kostën, ai vetëm fiton. Antonio Konte erdhi si kampion i Italisë në Angli dhe tashmë është shumë pranë që të dalë sërish kampion, madje me tentativën e parë. Pavarësisht problemeve me sulmuesin kryesor, trajneri italian i Çelsit ka arritur të ndërtojë një skuadër që po i lë në bisht të tjerat. Edhe pse ndonjëherë ka fituar vetëm 1-0, apo pa shkëlqyer, skuadra londineze ka ditur të japë edhe paraqitje të jashtëzakonshmë si ato në fitoret 4-0 ndaj Mançester Junajtidit, apo 5-0 ndaj Evertonit.

Suksesi në javën e fundit të Premier Ligës, 2-0 ndaj Hull Sitit në “Stemford Brixh”, bëri që diferenca me ndjekësit më të afërt të rritet nga 7 në 8 pikë. A mund të thuhet se Konte duhet të hapë shampanjën për të festuar titullin? Padyshim që jo, pasi është shumë shpejt me 48 pikë në lojë, por sa më shumë javë që kalojnë, aq më pranë triumfit është Çelsit. Rivali që dukej më i rrezikshëm, Liverpuli, u mund papritur në fushën e tij, Totenhemi nuk bind plotësisht, ashtu si edhe Arsenali që shpesh e lëshojnë nervat.

Diego Kosta e Geri Kejhill ishin autorët e golave ndaj Hullit, me blutë që u ngjitën në kuotën e 55 pikëve, që kanë mbrojtjen më të mirë të kampionatit (15 gola të pësuar) dhe sulmin aspak të keq (47 gola të shënuar, ndaj 51 të Liverpulit e 50 të Arsenalit).

Sfidanti.al