Mos vallë Siti i Guardiolës do të përfundojë sërish keq në Champions?!

Europa nuk është arena e tij e preferuar, të paktën që nga 2011. Pep Guardiola nuk po mundet ta fitojë më Championsin, që nga koha kur kishte Mesin tek Barcelona. Prova e radhës, ajo në Gjermani ndaj Lajpcigut, riktheu shqetësimet e kaluara, kur Mançester Siti gjithmonë bënte ndonjë gabim dhe mbetej pa gjë. Kështu i ndodhi ndaj Monakos, Liverpulit, Totenhemit, Lionin, ndaj Çelsit në finale në 2021 dhe vjet kundër Realit. Ishte mbrojtësi kroat Gvardiol që konkretizoi reagimin e gjermanëve, ndërsa trajneri i Sitit u ngacmua pas ndeshjes për rezultatin.

“Çfarë prisnit juve, që ne të fitonim 5-0? – tha Pepi, – Mos mendoni se po luanim një ndeshje miqësore? Sa ndeshje të Lajpcigut keni parë ju? Po flasim për një ekip shumë të mirë. Me gjithë respektin, si mund të prisni që ne të fitojmë këtu 5-0? Nuk është e mundshme. E vërteta është që po flasim për një konkurrim të madh ku skuadra me emër janë eliminuar. Është e vështirë, kjo ishte ndeshja jonë e pestë në 10 ditë”.

Mediat angleze shprehën habinë se përse Guardiola nuk bëri asnjë zëvendësim në më shumë se 90 minuta. Jo vetëm kaq, por pati kritika për Erling Halandin, i cili u konsiderua si i tepërt në fushë gjatë pjesës së parë. Një shenjë aspak e mirë për sulmuesin norvegjez, ndonëse ai ka shënuar 31 gola deri tani këtë sezon.

Sfidanti.al