Mos u mërzit Pep, e preve edhe ti një biletë për në “Uembli”

Pep Guardiola mund të shihet duke vënë duart në kokë edhe kur skuadra e tij luan mirë dhe fiton, po ashtu edhe të mos e ulë kryet kur pëson disfatë. Një trajner shumë i lidhur me parimet e veta, ndjek gjithnjë planin, dhe ashtu bëri ky i Mançester Sitit edhe këtë fundjavë. Skuadra e tij kaloi me një fitore 2-0 në fushën e Midëllsbrout dhe u kualifikua për në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë.

Gjysmëfinalja do të thotë një biletë për në “Uembli” për Pepin, në përpjekje për të fituar trofeun e tij të parë në sezonin e parë në Angli. Nuk do të ishte maksimumi, por gjithsesi do të ishte më mirë sesa të mbetej me duar bosh. Gjëja më pozitive ishte që Siti luajti një ndeshje shumë të mirë dhe mesa duket e ka lënë pas krizën. David Silva dhe Kun Aguero ishin autorët e golave.

Katalanasi u shpreh më në fund i kënaqur pas fitores dhe tregoi eksperiencat e tij në stadiumin e famshëm londinez. “Kam kujtime të shkëlqyera në “Uembli”, – tha ai, – edhe në stadiumin e vjetër, edhe në të riun”. Në “Uemblin” e vjetër, Pep fitoi Championsin në 1992 si lojtar i Barcelonës, ndërsa në “Uembnlin” e ri e fitoi Ligën e Kampionëve si trajner i “blaugranëve” në 2011 në finalen ndaj Mançester Junajtidit të Sër Aleks Fergusonit.

Sfidanti.al