Pasditja e djeshme do të mbahet mend gjatë nga Mërgim Mavraj. Mbrojtësi më shumë se dinjitoz i kombëtares shqiptare përjetoi një dyorësh për t’u harruar sa më parë në stadiumin e mrekullueshëm të Bundesligës, “Alianc Arena”. Ndryshe nga vizita e parë në fazën e kaluar, në radhët e Këlnit, Mavraj kaloi ndoshta përvojën më të vështirë të karrierës së tij.
Një disfatë 0-8 e Hamburgut në fushën e kampionëve të Bajernit është një rezultat që u ndodh rrallë edhe bavarezëve. Shqiptari 30-vjeçar nga Kosova këtë herë luajti vërtet dobët, por nuk mund të bëjë veten kaq shumë me faj. Kush nuk e kujton katastrofën e Barcelonës së Ksavit apo Iniestës (Mesi u dëmtua në ndeshjen e parë), 0-4, në fushën e Bajernit në vitin 2013.
Heroi i ndeshjes ishte Robert Levandovski që shënoi tre gola. Sulmuesi polak mori “stafetën” nga Arturo Vidal duke realizuar “me breshëri” dhe duke qenë tani golshënuesi më i mirë i Bundesligës me 19 rrjeta, po aq sa Pjer-Emerik Obamejang. David Alaba, dy herë Kingsli Koman dhe një herë Arjen Roben “rrumbullakosën” shifrat për Bajernin, që e kënaqi pa masë trajnerin Karlo Ançeloti në ndeshjen e tij numër 1000 në stol.
Bajerni mbeti në krye të Bundesligës me 53 pikë dhe 54 gola të shënuar në 22 ndeshje, ndërsa Lajpcig e ndjek me 48 (fitoi 3-1 ndaj Këlnit. Në vendin e tretë është Dortmundi që arriti një sukses bindës, 3-0 në fushën e Frajburgut, me golat e shënuar nga Papapostopulos dhe dy herë Obamejang.
Sfidanti.al